“Vetë e kërkove”, babë e bir tregojnë çfarë ndodhi në sallën e gjyqit

Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir që mbetën të plagosur gjatë atentatit në sallën e gjyqit ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, dolën nga Spitali i Traumës vetëm një ditë më pas.

Sipas raportimeve, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe nuk është më në rrezik për jetën.

Të plagosurit kanë dhënë tashmë dëshmitë e para para oficerëve të policisë gjyqësore, duke rrëfyer momentet dramatike që përjetuan në sallën numër 3 të Gjykatës së Apelit, një ambient i vogël ku gjithçka u përshpejtua.

Sipas deklaratave të tyre, tensioni u krijua menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, i cili, sipas Kurtajve, nuk u jepte favore kërkesave të familjes Shkambi.

Pas leximit të vendimit, Elvis Shkambi nxori një armë që e mbante poshtë xhaketës, e ngarkoi dhe qëlloi disa herë — në drejtim të gjyqtarit.

Ngjarja ndodhi shumë shpejt. Kalaja u përpoq të mbrohej, por nuk kishte as hapësirë, as kohë,” thanë Rakip dhe Ervis.

Ata treguan se Elvisi iu afrua dhe qëlloi nga afër, duke i thënë gjyqtarit: “Vetë e kërkove.”

Më pas, sipas tyre, ai u kthye kah ata dhe sekretarja dhe vazhdoi të qëllojë, derisa arma mbeti pa plumba.

Pas të shtënave, autori i krimit u largua me qetësi nga salla. Të pranishmit përpiqeshin të shpëtonin gjyqtarin, por nuk gjetën shenja jete.

U munduam ta ndihmonim, por ai nuk reagonte. Pas pak minutash erdhi policia dhe ambulanca. Kur dolëm jashtë, pamë që arma ishte lënë te dera, ishte shumë e vogël. Na erdhi shumë rëndë për gjyqtarin, por sinqerisht, kjo ishte një situatë që e kishim frikë prej kohësh,” thanë ata.

Sipas babë e bir, ata kishin marrë kërcënime të vazhdueshme nga familja Shkambi:

Na thonin se do na hidhnin në rrugë, sa herë na shihnin. Ishte bërë si makth kjo histori.

Kjo rrëfim ka theksuar edhe më shumë dimensionin e tensionuar të konfliktit që çoi në ngjarjen tragjike, duke denoncuar se frika dhe kërcënimet ishin pjesë e përditshmërisë për familjen Kurtaj.