Policia e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes së rëndë të ndodhur më 6 tetor, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda Gjykatës së Apelit.
Përveç autorit, u arrestuan edhe xhaxhai i tij dhe roja i sigurisë së Gjykatës, për shkak të “shpërdorimit të detyrës”.
Autori i dyshuar, Elvis Shkambi (30 vjeç), bashkë me xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi (56 vjeç), kaluan nga pajisja skaner rreth orës 13:42. Edhe pse detektori sinjalizoi prezencën e metaleve, punonjësi i sigurisë, B. K., qëndroi ulur në karrige dhe nuk kreu asnjë kontroll fizik, duke mos i regjistruar shtetasit.
Dy orë më vonë, në orën 15:35, pas shpalljes së vendimit të gjyqtarit Kalaja për një konflikt pronësie në Shkodër, Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë. Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili po zhvillonte seancën, ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.
Elvis Shkambi qëlloi edhe në drejtim të palëve të tjera, duke i plagosur dy persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas vrasjes, autori Elvis Shkambi u prangos. Së bashku me të, në pranga ranë edhe dy persona të tjerë:
Gjon Shkambi (xhaxhai): Akuzohet për “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, pasi nuk ndërmori asnjë veprim për të ndërprerë krimin e nipit, duke krijuar dyshimin se ishte në dijeni të planit.
B. K. (roja i sigurisë): Akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, pasi nuk kreu kontrollin fizik të autorit, duke lejuar futjen e armës në ambiente të Gjykatës.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe provat materiale, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë.
