Aktori i humorit, Florjan Binaj, i cili ka shpallur kandidaturën e tij për Bashkinë Tiranë, ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe emocional, duke falënderuar mbështetjen e opozitës dhe qytetarëve.
Binaj falënderoi publikisht Partinë Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje për mbështetjen ndaj kandidaturës së tij të pavarur.
Megjithatë, ai theksoi se partia e tij e vërtetë janë qytetarët. “Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU!” deklaroi ai.
Ai u shpreh se kjo garë është për qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë inkurajuar. Ndërsa deri më sot ka luftuar padrejtësinë me artin dhe humorin e tij, tani fton qytetarët ta bëjnë këtë me votë:
“Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne!”
Mesazhi i Binajt, i cili i bën thirrje qytetarëve të bashkojnë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit, ka marrë një mbështetje të madhe në rrjetet sociale.

