Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Bashkinë Tiranë, duke theksuar se partia ka deri në 13 emra në garë.
Berisha shprehu besimin se kryeqyteti do të ketë “emrin më të dashur ndonjëherë”.
“Të garantoj që gjer tani PD ka 12-13 kandidatë, të garantoj për këtë,” deklaroi Berisha, duke shtuar se PD ka vendosur të hapet dhe të mirëpresë edhe kandidatura të pavarura.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë shpallur kandidaturën përgjatë këtyre ditëve.
I pyetur nëse do të mbështesë aktorin e humorit Florjan Binaj, i cili ka shpallur kandidaturën, kryedemokrati u tregua i rezervuar.
Ai u përgjigj se vendimi final do të merret nga koalicioni dhe aleatët e PD-së, duke theksuar se edhe ai vetë ka zërin e tij në këtë proces.
Kjo deklaratë ka hapur garën brenda PD-së dhe në koalicion, duke e bërë më të ndezur situatën rreth emrit që do të përballet me Bashkinë Tiranë.
