14-vjeçarja u hodh nga kati i tretë i pallatit në Korçë, procedohet nëna e saj

Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një 14-vjeçare tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i tretë i banesës, Policia e Korçës ka proceduar penalisht nënën e saj.

Sipas të dhënave zyrtare, 42-vjeçarja është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Fyerje dhe dëmtime të tjera me dashje”. Ajo dyshohet se ka dhunuar dhe ofenduar një 13-vjeçare me të cilën vajza e saj kishte pasur konflikt disa ditë më parë.

Ngjarja ndodhi ndërkohë që nëna e së miturës kishte shkuar në polici për të bërë një denoncim në lidhje me konfliktin e vajzës së saj.

Në dëshminë e dhënë jashtë kamerave, gruaja tha se fëmijët e saj janë bullizuar prej kohësh pasi babai i tyre ndodhet në burg. Ajo shpjegoi se ditën e incidentit kishte lënë në shtëpi katër fëmijët për të kërkuar ndihmën e policisë.