Nga data 12 tetor 2025, nis zbatimi i sistemit të ri të menaxhimit të kufijve, i njohur si Sistemi i Hyrje/Daljes (EES), i cili prek të gjithë shtetasit jashtë vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë edhe shqiptarët.
Sipas njoftimit të Delegacionit të BE-së në Tiranë, sistemi i ri do të regjistrojë elektronikisht të dhënat e udhëtimit, datat e mbërritjes dhe largimit, si dhe të dhënat biometrike si shenjat e gishtave dhe imazhi i fytyrës. Ky sistem zbatohet për ata që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër në 29 vendet e Zonës Shengen.
Ky zbatim do të jetë progresiv dhe do të zgjasë gjashtë muaj, deri më 9 prill 2026. Gjatë kësaj periudhe, vulosja e pasaportave do të vazhdojë si zakonisht.
BE njoftoi se nuk kërkohet asnjë veprim para udhëtimit dhe nuk ka asnjë tarifë shtesë.
EES synon të lehtësojë kalimin e kufirit, por do të identifikojë dhe regjistrojë automatikisht edhe çdo tejkalim të periudhës së lejuar të qëndrimit, si dhe refuzimet e hyrjes.
