Mediat italiane kanë zbardhur detaje tronditëse rreth tragjedisë së ndodhur një ditë më parë, ku Salvatore Ocone, 58 vjeç, vrau gruan dhe djalin e tyre të mitur, si dhe plagosi rëndë vajzën.
I akuzuari ka pranuar autorësinë e krimit, duke u justifikuar me pretendimin se bashkëshortja e tij, Elisa Polcino, ishte agresive dhe dhunuese.
Megjithatë, autoritetet konfirmuan se Ocone vuante nga probleme serioze psikologjike dhe ishte shtruar pa dëshirën e tij në spital në vitin 2011 për psikozë kronike.
Ocone goditi për vdekje gruan e tij 48-vjeçare me një gur ndërsa ajo po flinte. Më pas, ai u arratis me dy fëmijët e mitur, djalin 15-vjeçar dhe vajzën 16-vjeçare. Gjatë arratisjes, ai sulmoi me të njëjtin gur edhe djalin, duke i marrë jetën, dhe plagosi të bijën me një shishe qelqi. Adoleshentja ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.
Ky krim i trefishtë ka tronditur opinionin publik, duke ngritur pyetje mbi menaxhimin e personave me probleme të shëndetit mendor.
