Psikiatri kosovar, Behar Kamberi, i arrestuar disa ditë më parë me akuzën e përndjekjes ndaj moderatores sportive Albano Bejko, është liruar nga qelia me vendim të Prokurorisë së Tiranës.
Ky vendim vjen pas analizimit të thellë të komunikimeve mes tyre.
Moderatorja kishte kallëzuar mjekun, pasi ai kishte udhëtuar nga Kosova në Tiranë dhe ishte shfaqur pranë banesës së saj, duke i shkaktuar shqetësim.
Mesazhet e dërguara nga Kamberi shprehnin interes romantik, duke përfshirë deklarata si: “Të dua… dëshiroj të martohem me ty” dhe “Jeni shumë e bukur, dua t’ju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju.”
Megjithatë, Prokuroria e Tiranës, pas këqyrjes së përmbajtjes së tyre, vlerësoi se komunikimet nuk përmbanin tone kërcënuese apo intimiduese, të cilat do të përbënin vepër penale të përndjekjes.
Ato u konsideruan si shprehje të një ndjenje sentimentale që nuk e cenonte sigurinë e kallëzueses.
Bazuar në këtë analizë, organi i akuzës vendosi të mos vijojë me masën e paraburgimit, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Behar Kamberit.
