Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord të mbështesë një plan paqeje të sponsorizuar nga SHBA për Gazën, me synim t’i japë fund luftës pothuajse dyvjeçare atje.
Plani 20-pikësh i publikuar nga Shtëpia e Bardhë përfshin armëpushim, shkëmbim pengjesh mes Hamasit dhe Izraelit, tërheqje graduale të ushtrisë izraelite, çarmatim të Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar.
“Falenderoj kryeministrin Netanyahu për mbështetjen e planit dhe besimin se së bashku mund të sjellim fundin e vdekjeve dhe shkatërrimit dhe të hapim një kapitull të ri paqeje e sigurie për rajonin,” u shpreh Trump në një konferencë të përbashkët me Netanyahun.
Kjo është vizita e katërt e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që prej rikthimit të Trump në pushtet, ndërkohë që shumë shtete perëndimore kanë njohur zyrtarisht Palestinën, vendim që u kundërshtua ashpër nga SHBA dhe Izraeli.
Megjithatë, mungesa e Hamasit në tryezën e bisedimeve ngre pikëpyetje mbi shanset reale të këtij propozimi, ndërkohë që tanket izraelite po avancojnë më thellë në qytetin e Gazës dhe kriza humanitare vazhdon të thellohet.
