Fotografja Blerta Celibashi, partnerja aktuale e Princ Lekës, ka folur për herë të parë publikisht në “Mirmbrëma Yje” për përfshirjen e saj në ngjarjet që pasuan divorcin e tij me Elia Zaharinë.
Ajo hodhi poshtë dyshimet se ka ndikuar në ndarjen e çiftit, duke e parë veten viktimë të shpifjeve për tradhti.
Celibashi rrëfeu për vështirësitë psikologjike që ka kaluar dhe u shpreh se ndihej e prekur dhe e indinjuar nga shkrimet e pavërteta. Ajo theksoi se ishte shumë e vështirë të menaxhohej përfshirja e saj në një “telenovelë”, ku ajo nuk e gjente aspak veten në personazhin e vendosur nga media.
Ajo pranoi se ndjen ngarkesë të madhe psikologjike kur flet për atë kohë, por shtoi se tani është në një moment paqeje.
Në vijim të rrëfimit, Celibashi hodhi poshtë pretendimet se ajo dhe Elia Zaharia ishin shoqe.
“Në mënyrë kategorike nuk kam qenë asnjëherë shoqe me Elian. Është shumë abuzive që kanë shpifur deri në këtë pikë,” u shpreh ajo, duke e cilësuar këtë si një trillim mediatik.
Ajo konfirmoi se raporti i saj me oborrin mbretëror kishte qenë gjithmonë thjesht profesional.
Kjo dalje publike e Blertës ka synuar të qartësojë pozicionin e saj dhe të japë versionin e saj të ngjarjes, duke iu dhënë fund aludimeve të shumta për marrëdhëniet e tyre.
