Në emisionin “Opinion” në Tv Klan është zhvilluar një debat i fortë mes aktivistes Xheni Karaj dhe moderatores Albana Osmani, lidhur me përdorimin e termit “burrneshë” dhe krahasimin e saj me identitetin transgjinor.
Polemika nisi kur Karaj u shpreh se burrneshat mund të konsiderohen si transgjinore, pasi ishin gra që morën “rolet e burrave”. Menjëherë pas kësaj deklarate, Osmani reagoi ashpër duke thënë se “burrneshat” nuk mund të quhen transgjinore, pasi ishin figura historike që morën përsipër rolin e meshkujve në familje vetëm në rrethana të veçanta.
“Ty të të vijë turp nëse artikulon burrneshën si transgjinore! Burrnesha është një vajzë shumë e nderuar shqiptare, që u detyrua t’i dilte zot familjes kur meshkujt ishin vrarë, por nuk ishte transgjinore,” tha Osmani.
Karaj iu kundërpërgjigj duke theksuar se lëvizjet gjinore nuk duhet të kufizohen në definicione të ngurta historike dhe se qëllimi është të hapet një diskutim më i gjerë mbi barazinë gjinore.
Debati u mbyll pa një dakordësi mes palëve, ndërsa në rrjetet sociale ka nisur një valë reagimesh mbi përdorimin e termave dhe mënyrën si duhen interpretuar figurat historike në kohët moderne.
