Qeveria talebane ndërmerr një tjetër hap ekstrem ndaj të drejtave të grave

Qeveria talebane në Afganistan ka ndërmarrë një tjetër hap kufizues ndaj grave, duke ndaluar përdorimin e të gjitha librave të shkruar nga autore femra në sistemin universitar.

Vendimi përfshin gjithashtu ndalimin e mësimdhënies për të drejtat e njeriut dhe lëndë të tjera që konsiderohen “të papajtueshme me Sheriatin”, sipas njoftimeve zyrtare.

Në listën e publikuar prej 50 faqesh, janë përfshirë 680 tituj, mes tyre rreth 140 libra të shkruar nga gra dhe mbi 300 tituj me origjinë iraniane.

Nga 18 lëndët e ndaluara, gjashtë lidhen drejtpërdrejt me çështjet gjinore, si “Sociologjia e Grave”, “Gjinia dhe Zhvillimi” dhe “Roli i Grave në Komunikim”. Autoritetet talebane theksuan se këto lëndë “bien ndesh me parimet islame”.

Ky është vendimi më i fundit në serinë e kufizimeve që talebanët kanë zbatuar ndaj grave që prej rikthimit në pushtet katër vite më parë. Atyre u është ndaluar shkollimi pas klasës së gjashtë, punësimi në shumicën e profesioneve dhe së fundmi edhe kurset për mamitë.

Sipas burimeve të BBC Afghan, masat synojnë gjithashtu të reduktojnë ndikimin kulturor të Iranit në vend. Megjithatë, zyrtarët talebanë vazhdojnë të pretendojnë se “respektojnë të drejtat e grave” në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik.

Ky hap ka ngjallur shqetësim të gjerë ndërkombëtar, duke shtuar kritikat ndaj regjimit për izolimin dhe shtypjen sistematike të grave në Afganistan.