Aktorja Elia Zaharia ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “ArtKand” në Top Channel, ku prezantoi librin e saj të ri për fëmijë, “Perla dhe Dreri i Artë”.
Projekti, i realizuar në një periudhë që ajo e përshkruan si “kakofoni”, vjen si shprehje e përballjes së saj me sfidat personale.
E pyetur nga gazetarja Jetona Koçibelli për divorcin me Princ Lekën, Elia foli me sinqeritet për periudhën e vështirë që ka kaluar:
“E gjithë jeta ka ditë për ditë sfidat dhe ulje-ngritjet e veta. Nuk është asnjëherë betejë e fituar sepse jeta të rrezon dhe të ngre. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu sa herë të ngrihet të mos harrojë të ngrihet njeri. Sepse dhimbja apo sfidat që kalojmë ndonjëherë e shuajnë dritën dhe dashurinë që duhet t’i qasemi jetës, njerëzve, punës, dhe unë këtë jam munduar të bëj.
Pas ndarjes, e cila u shoqërua edhe me tensione publike, Elia ka zgjedhur ta kanalizojë energjinë e saj në krijimtari.
Libri i saj për fëmijë mbart mesazhe pozitive dhe mësime jetësore për më të vegjlit, duke treguar njëkohësisht rrugën e saj për të gjetur forcë dhe frymëzim.
Me këtë projekt, Elia Zaharia jo vetëm që prezantoi krijimtarinë e saj të re, por edhe ndau me publikun një mesazh për qëndrueshmërinë dhe dashurinë për jetën përtej sfidave personale.
