Britania e Madhe njofton nesër njohjen e Palestinës, ja shtetet e tjera që do e pasojnë

Një lëvizje e madhe diplomatike pritet të ndodhë më 21 shtator, kur kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të shpallë njohjen zyrtare të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas “The Times”, ky vendim do të shoqërohet me një dënim të ashpër ndaj ofensivës tokësore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, e ka cilësuar ndërhyrjen si “të pamatur dhe të papranueshme”, ndërsa Starmer pritet të deklarojë se Londra nuk ka “asnjë alternativë tjetër” përveçse ta njohë Palestinën si shtet të pavarur.

Ky hap pritet të krijojë tensione me aleatët më të ngushtë të Britanisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se një akt i tillë “do të shihej si shpërblim për mizoritë e Hamasit”.

Burime diplomatike bëjnë me dije se edhe Franca, Kanadaja dhe Australia po shqyrtojnë një lëvizje të ngjashme, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndërkombëtar ndaj konfliktit izraelito-palestinez.