Vetëm një javë pas vrasjes së themeluesit të Turning Point USA, Charlie Kirk, organizata ka njoftuar se drejtimin e saj do ta marrë bashkëshortja e tij, Erika Kirk.
Charlie Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje më 10 shtator gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-s. Autoritetet arrestuan 22-vjeçarin Tyler Robinson, i akuzuar për atentatin, duke ngritur disa akuza ndaj tij.
Në një deklaratë nga selia e Turning Point USA në Arizona, Erika falenderoi ekipin e shpëtimit, Shtëpinë e Bardhë dhe miqtë e familjes, ndërsa theksoi se do të “mbajë gjallë misionin” e të shoqit.
“Nëse menduat se misioni i tij ishte i fuqishëm më parë, nuk keni parë asgjë ende”, u shpreh ajo, duke premtuar vijimin e turit kombëtar dhe projekteve që Kirk kishte nisur.
Bordi i organizatës deklaroi se Erika do të marrë postin e CEO-s dhe Kryetares së Bordit, duke e cilësuar atë si personin që do të çojë përpara vizionin e bashkëshortit të saj.
Charlie Kirk, një nga figurat më të njohura të krahut konservator amerikan, la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre të vegjël.
