Rritja e pagës, ja kur do të hyjë në fuqi vendimi

Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet nga 40 mijë në 50 mijë lekë.

Qeveria ka njoftuar se për 18 muajt e parë do të mbulojë efektet e kësaj rritjeje, duke paguar diferencën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Premtimi i dhënë gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit është përfshirë në programin qeverisës dhe parashikon që çdo punonjës, nga fabrikat e manifakturës te kamerierët e punëtorët e ndërtimit, të mos paguhet me më pak se 50 mijë lekë.

Ekspertët e tregut e kanë cilësuar rritjen si një hap me ndikim social, por që duhet shoqëruar me politika mbështetëse për bizneset. “Është një tregues pozitiv, por duhet parë ndikimi mbi kostot e bizneseve dhe rreziku për rritje të informalitetit”, tha pedagogu Erion Muça.

Ndërkohë, sipërmarrësit shprehen të shqetësuar për periudhën pas mbështetjes shtetërore. “Pas 18 muajsh ne do të ndjejmë presion mbi bilancet dhe do të duhet të rimendojmë strategjitë e punësimit dhe investimit”, tha Florian Zekja nga sektori i manifakturës.

Shqipëria mbetet vendi i parafundit në Ballkan për nivelin e pagës minimale, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në rajon kryeson Mali i Zi me 670 euro dhe Serbia me 618 euro.