Një familje holandeze nga Veldhoven, që kishte ardhur për pushime në Shqipëri muajin e kaluar, përfundoi në një situatë të rëndë pas një aksidenti rrugor.
Perry Beenen dhe bashkëshortja e tij Annelies udhëtonin me një makinë me qira në jug të vendit, kur në 6 gusht u përplasën ballë për ballë me një tjetër automjet. Përplasja ishte e fortë, por fatmirësisht familjarët nuk pësuan lëndime serioze.
Sipas rrëfimit të Perry-t për mediat holandeze, mënyra e trajtimit të ngjarjes nga policia shqiptare ishte e pazakontë për të. Ai u ndalua menjëherë dhe, pas pyetjeve të vazhdueshme nga oficerët, përfundoi në komisariat.
Aty u akuzua për shkaktimin e një aksidenti me të lënduar dhe u dërgua në burg, ku qëndroi për gjashtë ditë.
“Kushtet ishin të vështira, qeli e vogël, batanije të vjetra dhe higjienë e keqe. Kisha kontakt vetëm me avokatin tim,” tha Beenen, duke shtuar se lirimi i tij kushtoi rreth 12 mijë euro që gruaja i siguroi në bankomat.
Rasti i tij vjen në një kohë kur Ministria e Jashtme e Holandës dhe institucione të tjera evropiane kanë paralajmëruar qytetarët për rreziqet e mundshme të arrestimeve pas aksidenteve në Shqipëri.
Beenen tashmë thotë se nuk do të kthehet më kurrë në vendin tonë dhe paralajmëron turistët që të jenë të kujdesshëm.
