Tre të mitur 3-10 vjeç në gjendje të rëndë, hëngrën karamele me lëndë narkotike

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Korçë, ku tre fëmijë të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç janë dërguar në spital nga familjarët në gjendje të rënduar shëndetësore.

Policia njoftoi se rreth orës 18:15, fëmijët mbërritën në Pediatrinë e Spitalit të Korçës dhe sipas deklarimeve paraprake të familjarëve, ata mund të kenë konsumuar disa karamele që i gjetën pranë një koshi mbeturinash.

Dyshohet se karamelet përmbanin lëndë narkotike, ndërsa mbetet e paqartë mënyra se si ato përfunduan në rrugë. Aktualisht, 10-vjeçarja ndodhet në gjendje më të stabilizuar, ndërsa dy vajzat e tjera, 3 dhe 7 vjeç, po trajtohen në repartin e reanimacionit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.