Tyler James Robinson, 22 vjeç, i dyshuari për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, u paraqit për herë të parë para gjykatës mbrëmjen e së martës më 16 shtator 2025.
Seanca u zhvillua me video nga burgu ku ai mbahet, ndërsa Robinson kishte veshur një jelek parandalues të vetëvrasjes dhe foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij, pa dhënë asnjë koment tjetër.
Ndaj tij janë ngritur disa akuza të rënda, mes të cilave vrasje e rënduar, qëllim me armë zjarri duke shkaktuar lëndime të rënda, vepër e dhunshme në prani të një fëmije, pengim i drejtësisë dhe dy akuza për ndërhyrje tek dëshmitarët.
Prokurorët bënë të ditur se do të kërkojnë dënimin me vdekje nëse ai shpallet fajtor.
Aktualisht, Robinson mbahet pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa gjykata nxori edhe një urdhër mbrojtjeje për të ndaluar çdo kontakt të tij me bashkëshorten e të ndjerit, Erika Kirk. Seanca e radhës është caktuar për 29 shtator.
Provat e përmendura në dokumentet gjyqësore përfshijnë ADN-në e gjetur në armën e krimit, si dhe një shënim të fshehur nga Robinson ku shkruhej: “Kam mundësinë të vras Charlie Kirk, dhe do ta bëj!”
Përveç kësaj, në mesazhet e dërguara drejt partnerit, ai shprehej se “kishte pasur mjaft nga urrejtja” e Kirk dhe se “disa lloj urrejtjeje nuk negociohen dot”. Në një tjetër bisedë, kur u pyet pse e bëri, ai pranoi: “Më vjen keq” dhe kërkoi nga partneri të mos fliste me median dhe të fshinte komunikimet mes tyre.
Seancën e drejtoi gjykatësi Tony Graf, i cili informoi të pandehurin mbi të drejtat e tij dhe njoftoi se do t’i caktohet një avokat, pasi është shpallur i pamundur ekonomikisht për të paguar mbrojtjen.
Prokurori i qarkut të Utah, Jeff Gray, e përshkroi vrasjen si një “tragjedi amerikane”, ndërsa rasti ka marrë vëmendje të gjerë kombëtare për shkak të motiveve politike që dyshohet se qëndrojnë pas ngjarjes.
Hetimet vazhdojnë, përfshirë komunikimet online dhe lidhjet personale të Robinson, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të motivit.
