Reagimi i vrasësit të Charlie Kirk kur i thonë se do të dënohet me vdekje

Vrasja e aktivistit konservator Charlie Kirk më 10 shtator në Universitetin e Utah Valley tronditi opinionin publik në SHBA.

Pas një hetimi të shpejtë, autoritetet arrestuan 22-vjeçarin Tyler Robinson, i cili akuzohet për vrasje të rëndë me paramendim dhe disa akuza të tjera të rënda.

Në paraqitjen e tij të parë në gjykatë, Robinson u njoftua se prokurorët do të kërkonin dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor. Pamjet e publikuara nga gjykata treguan se ai në fillim mbeti i befasuar, por më pas u kthye sërish në një gjendje të ftohtë dhe pa emocione të dukshme.

Sipas një eksperti të gjuhës së trupit, momentet kur Robinson dëgjoi për dënimin me vdekje treguan shenja të ankthit – ai u pa duke gëlltitur dhe duke bërë një lëvizje të lehtë me kokë, gjë që mund të tregojë tensionin e brendshëm përballë akuzave të rënda. Megjithatë, ai u përpoq ta fshehë shqetësimin, duke qëndruar i qetë dhe i palëvizur.

Robinson akuzohet për disa vepra penale, mes tyre: vrasje e rëndë, shkarkim arme zjarri që shkaktoi lëndime të rënda, pengim i drejtësisë, ndikim te dëshmitarët dhe kryerje e një vepre të dhunshme në prani të fëmijëve.