Ngjarje e rëndë/ 14-vjeçari i jep fund jetës pas ngacmimeve në shkollë

Një djalë 14-vjeçar është gjetur i pajetë në dhomën e tij një ditë para fillimit të shkollës në Itali.

I mituri, i identifikuar si Paolo, kishte përjetuar ngacmime të vazhdueshme nga bashkëmoshatarët që nga shkolla fillore, të cilët talleshin me pamjen e tij dhe i kishin vendosur pseudonime të ndryshme; përmendur këtu “Nino D’Angelo” dhe “Paoletta”.

Familja kishte raportuar incidente të mëparshme, përfshirë edhe një rast ku një bashkëmoshatar kishte sjellë thikë në klasë, por shqetësimet e tyre nuk u trajtuan.

Prokuroria e Cassinos ka nisur hetim për nxitje për vetëvrasje, ndërsa Ministria e Arsimit ka urdhëruar inspektime në shkollën fillore dhe atë të mesme që ai ka ndjekur.

Këngëtari napolitan Nino D’Angelo reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur keqardhje për përdorimin e emrit të tij për të tallur Paolo-n.

Vëllai i tij, Ivan, përmes një letre drejtuar institucioneve, kërkon drejtësi dhe denoncon mungesën e ndërhyrjes, duke theksuar se ngacmimi i vazhdueshëm mund të ketë pasoja të rënda për jetën e të rinjve.