Nami në Tiranë! Policia vendos 4 mijë gjoba për 72 orë

Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë 72 orëve të fundit, ku janë vendosur 3954 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Vetëm për parkim të gabuar janë vendosur 3900 masa administrative, ndërsa 54 të tjera për tejkalim shpejtësie, të konstatuara nga radarët dhe makinat inteligjente.

Gjatë aksioneve janë arrestuar ose proceduar penalisht 11 drejtues automjetesh, pasi u kapën duke drejtuar makinën në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, policia ka bllokuar 14 mjete dhe ka tërhequr 11 leje qarkullimi.

Policia Rrugore u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të mos drejtojnë automjete nën efektin e alkoolit, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e kryeqytetit.