Koncerti i grupit britanik rap-punk Bob Vylan në qytetin Tilburg të Holandës është anuluar, pasi frontmeni Bobby Vylan u shpreh në mënyrë fyese për aktivistin e vrarë amerikan, Charlie Kirk, gjatë një performance në Amsterdam.
Gjatë koncertit të së shtunës në Paradiso, artisti iu drejtua publikut duke e quajtur Kirk “një copë m*ti” dhe shtoi se “foli shumë dhe e pësoi”. Komentet e tij u interpretuan si tallje me vrasjen e Kirk, gjë që solli reagime të shumta në rrjetet sociale.
Ndërsa Paradiso deklaroi se shprehje të tilla mund të konsiderohen pjesë e “shprehjes artistike” dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet nëse nis një hetim, skena muzikore 013 në Tilburg vendosi të anulonte koncertin e planifikuar për 16 shtator.
“Besojmë se këto deklarata shkojnë shumë larg dhe nuk përputhen me atë që ne ofrojmë si platformë,” thuhej në reagimin e tyre.
Pas polemikave, Bobby Vylan reagoi në rrjetet sociale duke mohuar se kishte festuar vdekjen e Kirk. “Nuk do të gjeni asnjë provë që ne e kemi bërë këtë. Është e vërtetë që e kam quajtur një copë m*ti, por jo që e kemi festuar vdekjen e tij,” tha ai.
Ky nuk është rasti i parë që grupi shkakton debat, pasi gjatë verës në Glastonbury ata u vunë në qendër të kritikave për thirrjen “vdekje për IDF”, çka solli edhe një hetim policor në Britani.
