FBI ka zbuluar prova të reja që e lidhin drejtpërdrejt 22-vjeçarin Tyler Robinson me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.
Robinson u arrestua pasi akuzohet se qëlloi për vdekje Kirk-un në qafë gjatë një aktiviteti më 10 shtator në Universitetin e Utah Valley (UVU).
Ngjarja ndodhi përpara rreth 3 mijë personave, teksa Kirk – një mbështetës i ngushtë i Donald Trump – po u përgjigjej pyetjeve për dhunën me armë.
Mirëpo sot, drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi për “Fox News” se analizat e fundit kanë konfirmuar Robinsonin si përdoruesin e armës që solli vdekjen e Kirk: “Mund të raportoj sot se ADN-ja e marrë nga peshqiri që ishte mbështjellë rreth armës dhe ADN-ja nga një kaçavidë janë përpunuar dhe përputhen me të dyshuarin në paraburgim,” tha Patel.
Pushka e fuqishme e gjuetisë u gjet e braktisur në një zonë të pyllëzuar, pranë vendit nga ku dyshohet se Robinson ka qëlluar.
Patel konfirmoi gjithashtu se hetuesit kanë zbuluar një shënim shqetësues, që dyshohet se Robinson e kishte shkruar para sulmit.
“Ai pretendonte se kishte një mundësi për ta eliminuar Charlie Kirk dhe se do ta bënte këtë për shkak të urrejtjes ndaj asaj që Charlie përfaqësonte,” tha Patel.
Edhe pse shënimi origjinal ishte shkatërruar, Patel sqaroi se ai ishte ruajtur në shtëpinë ku Robinson jetonte me partnerin e tij dhe më pas u konfirmua falë rikuperimit forenzik.
“E konfirmuam se çfarë thoshte ai shënim falë metodave tona të forta hetimore në FBI,” shpjegoi Patel.
Ai shtoi se familjarët e Robinsonit u kanë thënë hetuesve se 22-vjeçari “ishte i lidhur me ideologji të majta”, megjithatë motivi i saktë mbetet i paqartë.
“Detyra ime si drejtor i FBI-së nuk është të flas për motivin, por për faktet,” tha Patel.
Robinson po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht dhe pritet të dalë në gjykatë të martën. Ai akuzohet për “vrasje të rënduar”, “qitje me armë që shkakton plagosje të rëndë” dhe “pengim të drejtësisë”.
Guvernatori i Utah, Spencer Cox, konfirmoi se Robinson ishte në një lidhje me shokun e tij të dhomës, i cili është në proces tranzicioni gjinor.
“Shoku i dhomës ishte partner romantik,” tha Cox në programin Meet The Press në NBC.
“Mund të konfirmojmë se ky partner është një i dashur që po kalon nga mashkull në femër.”
Cox theksoi se partneri ka qenë “jashtëzakonisht bashkëpunues” me hetuesit dhe “nuk kishte asnjë dijeni se kjo [sulmi] do të ndodhte”, ndërkohë që vetë Robinson ka refuzuar të bashkëpunojë.
Një fqinj u shpreh për “The Sun” se e kishte parë Robinsonin duke mbajtur për dore partnerin vetëm dy javë para ngjarjes, duke shtuar se 22-vjeçarin e konsideronte “të çuditshëm” dhe se “do të kishte tentuar ta ndalonte nëse do të kishte ditur çfarë do të ndodhte”.
Zyrtarët nuk kanë sugjeruar se marrëdhënia e Robinsonit apo identiteti gjinor i partnerit kanë lidhje me vrasjen, por hetimet vijojnë në drejtim të historikut të tij online dhe llogarive në “cloud”.
