Një mësues në Toronto është pezulluar nga detyra pasi dyshohet se u tregoi nxënësve 10 dhe 11 vjeç një video grafike të momentit kur u vra aktivisti konservator Charlie Kirk dhe u tha se ai “e meritonte të vritej”.
Sipas Toronto Sun, ngjarja ka ndodhur në shkollën Corvette Junior Public School, ku mësuesi – i cili nuk ishte mësuesi i rregullt i klasës, por thjesht mbikëqyrës për atë ditë – i bëri fëmijët të shikonin videon e atentatit.
Prindërit e disa nxënësve raportuan se fëmijët ishin “të traumatizuar” nga pamjet.
Një burim për gazetën tha: “Disa nxënës shkuan në shtëpi dhe u ankuan tek prindërit, të traumatizuar pasi u detyruan ta shihnin disa herë videon e vdekjes në kamera.”
Prindërit kontaktuan menjëherë drejtuesit e shkollës, të cilët vendosën ta largojnë mësuesin nga detyra në datën 12 shtator, deri në përfundim të hetimit.
Gjithashtu, burimi shtoi se gjatë shfaqjes së videos, mësuesi mbajti një fjalim për “anti-fashizmin” dhe “anti-transin”, duke u thënë nxënësve se Kirk “e meritonte këtë që i ndodhi”.
Drejtoresha e shkollës, Jennifer Koptie, u dërgoi një letër prindërve:
“Po ju informojmë për një incident që raportohet të ketë ndodhur dje në klasën e fëmijës suaj. Gjatë mësimit, nxënësve iu tregua një pjesë e një videoje të dhunshme si përgjigje ndaj pyetjeve për një ngjarje tragjike të ndodhur së fundmi në SHBA. Mësuesi është larguar nga të gjitha përgjegjësitë mësimore deri në përfundim të hetimit dhe nuk do të jetë më në shkollë.”
Ajo shtoi se shkolla po ofron mbështetje për fëmijët që mund të jenë ndikuar nga ky incident.
Ky rast vjen në një kohë kur disa institucione në SHBA dhe Kanada kanë marrë masa të ngjashme. Në Universitetin e Misisipit një punonjës u pushua për komente “të pandjeshme” lidhur me vrasjen, ndërsa MSNBC shkarkoi një analist pas deklaratave të tij mbi atentatin.
Charlie Kirk, 31 vjeç, u vra më 10 shtator gjatë një aktiviteti studentor në Utah Valley University. I dyshuari, Tyler Robinson, 22 vjeç, u arrestua disa ditë më vonë pasi babai e dorëzoi tek policia.
Funerali i Kirk do të mbahet më 21 shtator në Arizona, ku pritet të marrë pjesë edhe Donald Trump.
