Aktori i njohur amerikan, Jeremy Renner, ka zbuluar përvojën e tmerrshme kur thotë se ka “vdekur” pasi u godit nga borëpastruesi i tij në shtëpinë e tij në Sierra Nevada më 1 janar 2023.
Në kujtimet e tij në librin “My Next Breath”, 54-vjeçari tregon plagët e rënda, përfshirë më shumë se 30 kocka të thyera dhe një sy të dëmtuar rëndë, si dhe përvojën jashtë trupit që pati në momentet e fundit para se të shpëtonte.
Renner thotë se ndërsa ishte në prag të vdekjes, përjetoi një energji të jashtëzakonshme dhe një vizion të gjithë jetës së tij, duke përshkruar ndjesinë si “pa kohë, pa vend dhe e gjithë përjetësia në një.”
Pas aksidentit, ai kaloi nëpër disa operacione të rënda dhe një rehabilitim intensiv, por sot e konsideron mbijetesën e tij një “moment lavdie” dhe feston çdo vit të Ri si një njohje e dashurisë dhe jetës.
