Hetuesit amerikanë kanë zbuluar se plumbat e përdorur në vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk mbanin të gdhendura mesazhe të çuditshme, që variojnë nga referenca ndaj antifashizmit deri te shakatë e botës online dhe lojërat elektronike.
Sipas autoriteteve, një pjesë e mbishkrimeve lidhen me meme të njohura në internet dhe komunitete online, ndërsa të tjera me këngë apo shprehje të përdorura gjerësisht.
Një nga to, “notices, bulges, OWO, what’s this?”, është një referencë e kulturës “furry” që shpesh përdoret në mënyrë tallëse.
Një tjetër shkrim, “Hey, fascist! Catch ↑ → ↓↓↓”, është një kombinim shigjetash i njohur nga loja Helldivers 2, që përdoret për të thirrur një bombë prej 500 kg, ndërsa mbishkrimi “Oh bella ciao…” i referohet këngës italiane antifashiste që u bë e famshme rishtas nga seriali “Money Heist”.
Në një gëzhojë tjetër ishte shkruar shprehja tallëse “If you read this, you are gay lmao”.
Ekspertët theksojnë se këto shkrime nuk japin një tregues të qartë mbi bindjet politike të autorit, por më shumë mbi dëshirën e tij për të lënë pas mesazhe që do të diskutoheshin në rrjete sociale.
“Ato tregojnë se autori kërkonte famë dhe jehonë online”, tha për NBC profesorja Lindsay Hahn nga Universiteti i Buffalo-s.
Ngjarja mbetet në qendër të hetimeve, ndërsa autoritetet vazhdojnë të analizojnë çdo pistë për të përcaktuar motivet e sakta të sulmit.
