Një aksident i rëndë në Bolonja të Italisë i ka marrë jetën 18-vjeçarit shqiptar Valerio Maksuti, ndërsa është plagosur rëndë një tjetër i ri shqiptar, 19 vjeç.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:00, kur makina e vjedhur me të cilën po udhëtonin u përplas me një shtyllë në Via Murri.
Sipas policisë italiane, automjetin e drejtonte 19-vjeçari që nuk kishte leje drejtimi. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuza për shkaktim aksidenti me pasojë vdekjen, vjedhje dhe rezistencë ndaj policisë.
Dy të rinjtë kishin qenë më parë pjesë e komuniteteve që strehojnë të mitur e të rritur pa familje. Viktima kishte precedentë penalë për vjedhje, ndërsa shoferi nuk rezulton me të dhëna të mëparshme kriminale.
Aksidenti ndodhi pasi makina e tyre, një Audi, u vu re nga një patrullë policie në Via Tolmino. Kur efektivët iu afruan, mjeti u largua me shpejtësi, duke nisur ndjekja që përfundoi me përplasjen fatale.
Ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, reagoi pas ngjarjes duke thënë: “Një tragjedi që mund të ishte shmangur duke respektuar ligjin. Shpresoj që askush të mos mendojë të ndjekë penalisht policinë, e cila bën punën e saj duke vënë jetën në rrezik çdo ditë.”
