Reagon për herë të parë i dashuri i vajzës që u vra në tren

Stanislav “Stas” Nikulytsia, i dashuri i Iryna Zarutskës – vajza ukrainase e vrarë në mënyrë brutale në Charlotte – ka reaguar publikisht për herë të parë pas tragjedisë.

Nikulytsia, 21 vjeç, publikoi një foto të tij me Irynën në Instagram, duke vendosur një emoji zemër të thyer, si shenjë zie dhe dhimbjeje.

Në “story”-t e tij, ai ripostoi gjithashtu video kritike ndaj gjyqtares Teresa Stokes, e cila kishte liruar nga burgu autorin e krimit, Decarlos Brown, vetëm disa muaj para sulmit fatal.

Brown, një person me mbi një duzinë arrestimesh më parë, ishte liruar në janar me një “premtim me shkrim” për t’u paraqitur në gjykatë. Kjo vendimmarrje ka shkaktuar indinjatë të madhe në opinionin publik amerikan, sidomos pas vrasjes së Zarutskës më 22 gusht, gjatë një udhëtimi me tren elektrik.

Nikulytsia, i cili jetonte prej një viti me Irynën në Charlotte dhe në nekrologji u përshkrua si “partneri i saj i jetës”, ka ndryshuar edhe biografinë e tij në Instagram, duke shtuar një kërpudhë – simbol i preferuar i të ndjerës – dhe një zemër të thyer.

Familja e Zarutskës, e cila kishte ikur nga lufta në Ukrainë në vitin 2022, u shpreh e shkatërruar nga humbja. Ata thanë se Iryna kishte ndërtuar një jetë të re në SHBA, por iu mohua siguria që kishte kërkuar: “Ajo erdhi këtu për paqe dhe siguri, por jeta e saj iu mor në mënyrën më të tmerrshme”.

Ngjarja ka ringjallur debatet për reformat në sistemin e drejtësisë dhe sigurinë e udhëtarëve në transportin publik në Charlotte.