Detaje të reja nga vrasja e aktivistit Charlie Kirk

Guvernatori i Utah-it, Spencer Cox, ka zbuluar detaje të reja për autorin e dyshuar të vrasjes së Charlie Kirk, 22-vjeçarin Tyler James Robinson.

Në një konferencë për shtyp më 12 shtator, Cox tha se hetuesit kanë siguruar dëshmi të drejtpërdrejta nga familjarët e Robinson.

Sipas guvernatorit, gjatë një darke familjare disa ditë para ngjarjes, Robinson kishte folur hapur për ardhjen e Kirk në Universitetin e Utah Valley dhe e kishte përshkruar atë si “një njeri i mbushur me urrejtje dhe përhapës i urrejtjes”.

Cox konfirmoi gjithashtu se Robinson nuk kishte precedentë penalë, por sipas të afërmve ishte bërë më politik vitet e fundit dhe kishte shfaqur qëndrime të forta kundër Kirk-ut.

Hetuesit gjetën edhe kapsula plumbash me shkrime provokuese dhe mesazhe të publikuara prej tij në platformën Discord, ku përmendte armën dhe planin e sulmit. (Lexo më shumë këtu)

22-vjeçari u arrestua pas informacioneve që një familjar i dha një miku të ngushtë, i cili kontaktoi policinë. Përputhja e të dhënave me pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë bëri të mundur ndalimin e tij.

Guvernatori tha se ky detaj për Kirk-un si “plot urrejtje” ndihmoi hetuesit të kuptonin më qartë gjendjen mendore dhe motivin e të dyshuarit.