Vdekja e Charlie Kirk, aktivistit konservator dhe themeluesit të “Turning Point USA”, i cili u qëllua për vdekje më 10 shtator gjatë një debati në Universitetin e Utah Valley, ka hapur një valë reagimesh në SHBA.
Pas atentatit, shumë nga deklaratat e tij më kontradiktore janë rikthyer në qendër të vëmendjes publike.
Kirk, i njohur si një mbrojtës i fortë i Izraelit për shkak të besimit të tij ungjillor, shpesh bëhej pjesë e debatit për konfliktin Izrael–Palestinë.
Ai kritikoi filantropinë hebraike duke thënë se “po subvenciononte vdekjen e vet” përmes mbështetjes së universiteteve që sipas tij përhapnin antisemitizëm. Ai mbrojti hapur veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe sulmoi protestat pro-palestineze në kampuset amerikane, duke i quajtur “urretje institucionale ndaj të bardhëve”.
Por qëndrimet e tij provokonin polemika edhe përtej kësaj teme:
- Islami: Kirk e krahasoi Profetin Muhamed me Jeffrey Epstein dhe deklaroi se Islami është “në kundërshtim” me vlerat perëndimore.
- Black Lives Matter: Ai e cilësoi George Floyd-in si “një plehrë” dhe kritikoi ashpër lëvizjen BLM.
- “Teoria e Zëvendësimit të Madh”: Ai e përhapte teorinë konspirative se emigrantët e paligjshëm po silleshin në SHBA për të zëvendësuar amerikanët e bardhë.
- Aborti: Kirk ishte kundër abortit. Madje, ai e krahasoi abortin me Holokaustin, duke thënë se “masakrimi i një milion e gjysmë foshnjave në vit” justifikohej me “gjuhë çnjerëzore.” Ai tha gjithashtu se edhe nëse vajza e tij 10-vjeçare do të përdhunohej dhe mbetej shtatzënë, ai do të dëshironte që ajo ta lindte fëmijën.
- Emigracioni: Vetëm pak ditë para vrasjes, ai deklaroi se “Amerika nuk ka nevojë për më shumë viza nga India” dhe se vendi është “i mbushur,” duke e parë emigracionin indian si kërcënim për punëtorët amerikanë.
- Dhuna me armë: Si mbrojtës i vendosur i Amendamentit të Dytë, ai tha në vitin 2023 se një numër i caktuar vdekjesh nga armët ishte “i vlefshëm” për të ruajtur “të drejtat e dhëna nga Zoti.”
- COVID-19: Kirk shpërndau informacione të pavërteta, duke pretenduar se hidroksiklorokina ishte “100% efektive,” se maskat ishin një “kompllot demokrat kundër krishterimit” dhe e quajti virusin “virusi kinez.”
- Vënia në dyshim e ekzistencës së Palestinës: Në një debat me një student pro-palestinez në Universitetin e Kembrixhit, Kirk vuri në dyshim nëse Palestina ekziston vërtet, duke thënë: “Kur shpallni luftë ndaj Izraelit, prisni një reagim të ashpër.”
- Akuza ndaj aktivistëve pro-palestinezë: Ai shpesh akuzonte protestuesit dhe aktivistët pro-palestinezë në kampuset universitare se ishin antisemitë dhe se nxisnin dhunë. Kirk mbështeti përpjekjet e republikanëve për t’i shtypur këto protesta dhe kërkoi që të përballej edhe “urrejtja institucionale ndaj njerëzve të bardhë”.
- Mbrojtja e veprimeve ushtarake të Izraelit: Kirk ishte mbrojtës i vazhdueshëm i luftës së Izraelit në Gaza. Ai hodhi poshtë pretendimet se Izraeli po i linte palestinezët pa ushqim dhe justifikoi veprimet e ushtrisë si një përgjigje të nevojshme ndaj veprimeve të Hamasit.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime të forta dhe të ndara në opinionin publik, duke e bërë atë një nga figurat më polarizuese të politikës konservatore amerikane.
Vrasja e tij ka rindezur debatin jo vetëm për dhunën me armë, por edhe për ndikimin e retorikës së tij në shoqërinë amerikane.
