Zbulohet dëshmia e autorit që i mori jetën 23-vjeçares në tren: “Qeveria më ka vendosur diçka në tru. Trump nuk fal…”

Është publikuar një audio e Decarlos Brown, i dyshuar për vrasjen me thikë të 23-vjeçares ukrainase Iryna Zarutska në një tren elektrik në Charlotte.

Regjistrimi daton pak ditë pas arrestimit të tij dhe tregon bisedën me motrën, Tracey Brown.

Në audio, Brown pranon se gjatë sulmit i është lënduar dora, por këmbëngul se nuk e njihte viktimën dhe nuk kishte folur kurrë me të. Ai pyet vetë:

“Pse dikush do të therë dikë pa arsye?”. Më tej, ai pretendon se qeveria i kishte implantuar “materiale” në tru, të cilat – sipas tij – kontrollonin veprimet dhe duhet të hetohen për të zbuluar motivin.

Motra e tij e quan ngjarjen të pakuptimtë dhe të dhimbshme, ndërsa Brown insiston se nuk kishte kontroll mbi atë që ndodhi. Ndërkohë, autoritetet federale e kanë akuzuar për një vepër që shkakton vdekje në sistem transporti publik, ndërsa shteti e akuzon për vrasje në shkallë të parë.

Presidenti Donald Trump reagoi ashpër duke kërkuar dënim me vdekje për autorin e krimit. Viktima, Iryna Zarutska, ishte një refugjate nga Ukraina që kishte mbërritur në SHBA pas pushtimit rus të vitit 2022. Ajo u sulmua në mënyrë të rastësishme, teksa ishte ende e veshur me uniformën e picerisë ku punonte, ndërsa ngjarja u kap nga kamerat e trenit.

Familja e saj e kujtoi si një artiste të pasionuar, të diplomuar në art dhe restaurim në Kiev, e dashur me kafshët dhe të etur për dije, ndërsa rasti ka tronditur opinionin publik në SHBA dhe më gjerë.