Një atentat mafioz ka tronditur Shkodrën mëngjesin e sotëm, ku dy persona kanë humbur jetën dhe janë plagosur 2 të tjerë.
Sipas raportimeve, lidhur me krimin është arrestuar një person.
Personi që ka kryer atentatin është kapur në tentativë për t’u larguar, pasi qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të një tavoline, në një lokal në qendër të Shkodrës, ku ndodheshin Armando Pali dhe Erogen Vaso alias Brajoviç.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën në vendin e ngjarjes Armando Pali dhe është plagosur Erogen Vaso.
Pali dhe Vaso ishin në të njëjtën tavolinë, ndërsa kishin miqësi mes tyre. Dyshimet e para janë se objektiv i atentatit ka qenë Erogen Vaso.
E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash, kur personi i armatosur ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar me breshëri.
Armando Pali ka qenë këshilltar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës disa vite më parë. Erogen Vaso nuk është i panjohur për policinë. Emri i tij doli në vitin 2023 si i lidhur me grupin e Bajrave në Shkodër.
Gjithashtu si pasojë e të shtëna ka mbetur e plagosur edhe një grua që po konsumonte kafen në lokal, si dhe kamarieri.
