Kennedy: Karkalecat e ngrirë ‘do t’ju vrasin’ dhe mund t’ju kthejnë në ‘alien’

John Kennedy, senator nga Luiziana, bëri një deklaratë të pazakontë duke thënë se konsumimi i karkalecave të importuar, të cilët ai i quajti “radioaktivë”, mund të bëjë që njerëzit të duken si “alienë” ose – siç tha me ironi – “t’ju rritet një vesh shtesë”.

Ai e shoqëroi paralajmërimin me një poster të filmit të njohur fantastiko-shkencor dhe horror të vitit 1979, Alien.

“Zoti President, kjo është një fotografi nga filmi Alien. Kështu mund të përfundoni nëse hani disa nga karkalecat e ngrirë të papërpunuar që importohen në SHBA. Tani, më lejoni të sqaroj për çfarë po flas”, tha Kennedy.

Senatori paralajmëroi se ngrënia e këtyre produkteve të ngrira të importuara mund të ketë pasoja serioze. “Si është e mundur të dukesh si alieni në film? Sepse karkaleci ishte radioaktiv. Nuk po bëj shaka. Përmbante një izotop të quajtur cezium-137. Ai të vret. Edhe nëse nuk të kthen në alien, të siguroj që do të të rritet një vesh shtesë”, u shpreh ai.

Kennedy iu referua një njoftimi të fundit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila kishte zbuluar gjurmë radioaktive tek karkalecat e ngrirë të importuar nga Indonezia.

Këto produkte ishin shpërndarë për shitje në Walmart në 13 shtete amerikane, përfshirë Alabama, Arkansas, Florida, Georgia, Kentucky, Luiziana, Missouri, Mississippi, Ohio, Oklahoma, Pennsylvania, Teksas dhe Virxhinia Perëndimore.