Në fillim të vitit të ri shkollor, Florina, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani që humbi jetën tragjikisht më 18 nëntor 2024, ka shpërndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale.
Ajo shprehet se ky është një vit i pazakontë, pasi do ta kalojë pa praninë e djalit të saj, duke theksuar se çdo ditë që kalon e bën dhimbjen edhe më të rëndë.
Në postimin e saj, Florina kujton se tragjedia mund të ishte shmangur, duke akuzuar mësuesit për neglizhencë dhe mosmarrje të masave në kohë.
Ajo shprehet se nuk u lajmërua për konfliktin që djali i saj kishte me bashkëmoshatarin Mario Përlleshaj, çka sipas saj do të kishte mundur të parandalonte ngjarjen fatale.
Postimi i nënës së Martin Canit:
“I dashur Martin, po fillon një vit i ri shkollor pa ty dhe zemra ime nuk duron këtë boshllëk. Unë ndjehem e humbur, e thyer dhe e plagosur. Çdo ditë që kalon bëhet më e rëndë, më mungon buzëqeshja jote, dashuria, energjia dhe pranija jote. Martini im, ti ishe drita e syve të mi, ëndrra ime, shpresa ime. Ikja jote mizore nga kjo botë më mori frymën, por nuk mund ta marrë kurrë dashurinë për ty. As vdekja nuk mund të ta shuajë atë. Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur mendoj se kjo tragjedi mund të ishte shmangur. Mësuesit nuk të mbrojtën dhe nuk na lajmëruan për zënkën që kishe me bashkëmoshatarin tënd. Ishte neglizhenca e tyre që na çoi deri këtu, sepse po të ishin kujdesur më shumë, sot do ta kisha ende dritën e syve të mi.”
