Policia e Shtetit ka prezantuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, që nis më 8 shtator.
Qëllimi është krijimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor.
Komisariatet do të rrisin praninë policore rreth shkollave në oraret kryesore, ndërsa Policia Rrugore do të vendosë pika kontrolli për automjetet që transportojnë nxënës, përfshirë testet e alkoolit dhe kontrollin teknik të mjeteve.
Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, policia ka paralajmëruar mbylljen e lokaleve dhe pikave ambulante pranë shkollave që shesin pije alkoolike apo produkte të skaduara.
Njëkohësisht, nxënësit do t’i nënshtrohen kontrolleve në hyrje të shkollave për të parandaluar mbajtjen e sendeve të kundërligjshme.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, theksoi se do të merren masa edhe kundër rasteve të njoftimeve të rreme që shkaktojnë panik, duke vënë autorët përpara përgjegjësisë ligjore.
