Ish-deputeti demokrat, Myslym Murrizi, ka vijuar kritikat ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke e akuzuar se nuk ka mbajtur premtimin për “pastrimin” e partisë pas lirimit nga arresti shtëpiak.
Murrizi i kujtoi deklaratën e nëntorit 2024, kur Berisha u tha mbështetësve: “Zoti ka thënë pastroni shtëpinë që unë të kthehem, dhe ne do ta pastrojmë shtëpinë tonë”.
Sipas tij, ndodhi e kundërta, pasi në strukturat drejtuese u futën pa votë persona që dikur e kishin sulmuar dhe lobuar kundër tij, ndërsa u përjashtuan demokratët që e kishin mbështetur ndër vite.
Ai shtoi se Berisha nuk ka marrë asnjë hap për të larguar “këlyshët e Sorosit” nga grupi parlamentar dhe kryesia, duke e cilësuar betejën e shpallur kundër Sorosit si një “tullumbace të shfryrë”.
Murrizi e mbylli mesazhin e tij duke theksuar se “politika nuk bëhet me deklarata boshe”, ndërsa sipas tij revolucioni i shpallur në PD mbeti vetëm një imazh virtual.
