Virusi Stratus, varianti i ri i COVID-19 — këto janë simptomat

Varianti më i ri i COVID-19, i quajtur Stratus (XFG), është raportuar edhe në Shqipëri pas përhapjes së shpejtë në Itali dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të ECDC dhe OBSH, Stratus tashmë përbën mbi 60% të infeksioneve në Evropë dhe mbi 65% në nivel global.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore theksojnë se ky variant nuk është më i rrezikshëm se të tjerët dhe klasifikohet si “Variant nën monitorim”.

Simptomat e Stratus ngjasojnë me ato të COVID-it klasik, por disa veçori janë raportuar: ngjirje e fortë e zërit, dhimbje dhe djegie në fyt, ethe, kollë e thatë, lodhje dhe dhimbje muskujsh. Në disa raste janë rikthyer edhe humbja e nuhatjes dhe shijes.

Ekspertët rekomandojnë që personat që shfaqin këto shenja të kryejnë test dhe të izolohen nëse rezultojnë pozitivë.

Kujdes i veçantë u bëhet të moshuarve, individëve me imunitet të dobët dhe atyre me sëmundje kronike.