Ekzekutimi i 34-vjeçarit Kristian Kola në Shkodër mbrëmjen e së enjtes dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë dhe i porositur nga persona të tjerë.
Hetimet paraprake kanë treguar se autorët, të cilët lëviznin me motor, përdorën armë me silenciator për të shmangur vëmendjen. Ata mendohet se kishin ndjekur lëvizjet e Kolës për disa ditë me radhë, madje një herë e kishin pikasur në zonën e Bardhajve por nuk vepruan atëherë.
Atentati ndodhi pranë Kinema “Republika”, në lagjen “Vasil Shanto”, ku viktima po qëndronte me dy persona të tjerë. Sapo ata u larguan, autorët përllogaritën momentin dhe njëri prej tyre e qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas u larguan me shpejtësi.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe po verifikon përdorimin e motorit në lëvizjet para dhe gjatë atentatit. Deri tani, pista kryesore mbetet ajo e një vrasjeje të porositur, ndërsa viktima nuk rezulton me precedentë penalë apo përfshirje në konflikte të njohura.
