Një studim i ri i Universitetit të Yale ka evidentuar një gjendje të re shëndetësore të quajtur “Sindroma Post-Vaksinim” (PVS), e cila shfaqet te disa individë pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19.
Sipas studiuesve, kjo sindromë lidhet me simptoma të vazhdueshme fizike dhe neurologjike si lodhje ekstreme, dhimbje koke, marramendje dhe mjegull mendore, të cilat mund të zgjasin me vite.
Studimi analizoi mostrat e gjakut të 42 pacientëve me simptoma të PVS dhe i krahasoi me 22 persona të tjerë të vaksinuar pa shqetësime, duke zbuluar nivele të larta të proteinës spike dhe ndryshime të sistemit imunitar.
Rasti i Sascha Schwartz, 32 vjeç nga Gjermania, e cila raportoi probleme të shumta shëndetësore pas vaksinës AstraZeneca, ka qenë një nga më të diskutuarit. Në Britaninë e Madhe, një rast tjetër i ngjashëm solli një proces gjyqësor ndaj kompanisë AstraZeneca, e cila në vitin 2024 pranoi publikisht se vaksina e saj mund të shkaktojë, në raste shumë të rralla, gjendjen e quajtur VITT.
Bashkautori i studimit, Dr. Harlan Krumholz, theksoi rëndësinë e dëgjimit të pacientëve që raportojnë simptoma të tilla, ndërsa ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, është angazhuar për reformimin e skemës së dëmshpërblimeve për ata që kanë pësuar pasoja.
Studiuesit sqarojnë se ky hulumtim nuk e vë në dyshim rolin vendimtar të vaksinave gjatë pandemisë, por nënvizon nevojën për kujdes afatgjatë dhe transparencë në trajtimin e rasteve të veçanta.
