“Do bëj të pamundurën për vajzën”- Ndërron jetë babai që preku zemrat e shqiptarëve

Një ngjarje tragjike ka prekur thellë opinionin publik. Kreshnik Tomani, 35 vjeç, ka ndërruar jetë pas 10 ditësh në koma, pasi u përplas nga një automjet më 24 gusht.

Kreshniku u godit nga një 17-vjeçar pa leje drejtimi, i cili drejtonte një automjet tip “Range Rover”.

Por Kreshniku nuk ishte një emër i panjohur. Ai ishte babai i Nikitës, vogëlushes 10-vjeçare(sot) që fitoi zemrat e publikut shqiptar me zërin e saj të ëmbël dhe ëndrrën për t’u bërë këngëtare.

Së bashku me vajzën dhe familjen, Kreshniku u shfaq në emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus, ku tregoi dashurinë e madhe për fëmijët dhe përkushtimin ndaj familjes.

“Fëmijën e parë e kam dashur vajzë dhe emrin ja kam vënë vetë. Nuk i imponoj, të zgjedhin çfarë të duan. Është ëndrra e saj dhe unë do përpiqem t’ia plotësoj,” shprehej atëherë Kreshniku, ndërsa Nikita, mes emocioneve, thoshte: “Babin e dua më shumë… Meraku im më i madh është mos t’i prish ëndrrën që unë të bëhem këngëtare.”

Kreshniku dhe bashkëshortja e tij, Kristina, prindër të tre fëmijëve, vinin nga një jetë e thjeshtë, duke punuar në sera dhe rritur fëmijët me përkushtim, dashuri dhe ëndrra të mëdha.

Pas aksidentit, Kreshniku u shtrua në gjendje të rëndë në spital, ku për 10 ditë qëndroi në koma, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

“Mundësit edhe i kemi edhe nuk i kemi. Jemi familje e re, por do bëjmë të pamundurën për t’i plotësuar ëndrrën vajzës sonë”, u shprehën në Vizioni i Pasdites Kreshniku dhe Kristina. /