Tronditëse/ Tërmeti i merr jetën 600 personave, mijëra nën rënoja

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6 ka goditur Afganistanin lindor, duke shkaktuar mbi 620 viktima dhe më shumë se 1.500 të plagosur, sipas autoriteteve vendase.

Sipas raportimeve, tre fshatra u shkatërruan plotësisht në provincën Kunar, ndërsa shumë të tjera pësuan dëme të mëdha. Vetëm në një fshat janë gjetur 30 trupa, por shifrat pritet të rriten pasi zonat e thella malore janë ende të vështira për t’u arritur.

“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por ekipet tona janë ende në terren”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë talibane të Shëndetësisë, Sharafat Zaman.

Qeveria e drejtuar nga talibanët ka kërkuar ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare, duke bërë të ditur se fatkeqësia ka shkaktuar humbje të mëdha jetësh dhe dëme materiale në disa provinca. Situata rëndohet edhe nga përmbytjet e fundit që prekën rajonet Nangarhar dhe Kunar, ku humbën jetën të paktën pesë persona.

Tërmeti dhe pasojat e tij kanë vënë në gjendje alarmi Afganistanin, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave.