Arti në zi, shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i madh Dhimitër Anagnosti

Arti shqiptar humb një tjetër personalitet të tij. Regjisori Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga e bija,  Juna Anagnosti, me anë të një shkrimi në rrjetet sociale.

Lamtumire Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes! Lamtumire babush!”– shkroi ajo.

Dhimitër Anagnosti lindi në 23 janar 1936 në fshatin Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator.

Anagnosti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë edhe si politikan.

Regjisori Anagnosti është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti në vitin 2011, ku është vlerësuar si një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare.

Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.