23-vjeçari i merr jetën dy fëmijëve, letra tronditëse që publikoi në YouTube para aktit tragjik

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Minneapolis më 27 gusht, ku gjatë meshës në kishën e “Annunciation Catholic School” një person i armatosur hapi zjarr nga dritaret e ndërtesës.

Si pasojë humbën jetën dy fëmijë, 8 dhe 10 vjeç, ndërsa 17 persona të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Autori u gjet i vdekur, pasi kreu vetëvrasje në vendngjarje.

Sulmuesi u identifikua si 23-vjeçari Robin Westman, i cili kishte me vete disa armë të blera ligjërisht, përfshirë një pushkë, një kallashnikov dhe një pistoletë.

Ai kishte bllokuar hyrjen kryesore me një copë druri, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e shpejtë.

Ngjarja po hetohet nga FBI-ja si një akt terrorizmi i brendshëm dhe krim urrejtjeje, pasi dyshohet se ishte i drejtuar kundër komunitetit katolik.

Para sulmit, Westman kishte publikuar në YouTube disa video me përmbajtje antisemitike dhe mesazhe kundër besimit, ku shfaqte armët e tij me mbishkrime provokuese. Videot janë hequr menjëherë pas ngjarjes.

Në banesën e tij, autoritetet gjetën një letër katërfaqëshe, ku ai shprehte depresionin e rëndë, bindjen se vuante nga kanceri dhe idenë se do të mbetej në histori si “monstër për fëmijët që do godiste”. Letra mbyllej me një kërkesë për lutje për viktimat.

Komuniteti reagoi me tronditje dhe dhimbje. Një vigjilje u mbajt në kujtim të viktimave, ku morën pjesë guvernatori dhe liderë fetarë të zonës, ndërsa hetimet për motivin dhe lidhjet e autorit vijojnë.