FOTO/ Si në Rio de Janeiro, vendoset statuja e Jezu Krishtit në Tropojë

Në një nga pikat më mbresëlënëse të alpeve shqiptare, në Nikaj-Mërtur të Tropojës, është vendosur për herë të parë në Shqipëri një statujë monumentale e Krishtit me krahë të hapura, e ngjashme me figurën e famshme të “Krishtit Shpëtimtar” në Rio de Janeiro të Brazilit.

Vepra është realizuar nga banori i zonës, Sokol Ndue Progni, dhe është ngritur në vendin e quajtur Salcë, duke u kthyer menjëherë në një simbol të ri shpirtëror dhe turistik për rajonin.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të kishës, banorë të zonës, si dhe shumë të ftuar nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora.

Pamjet nga vendosja e statujës janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat lokale, duke tërhequr vëmendjen për ngjashmërinë e saj me monumentin brazilian.

Edhe pse në përmasa më të vogla, statuja ka ngjallur emocion dhe gëzim tek banorët e malësisë, të cilët e shohin atë si një shenjë besimi dhe identiteti kulturor për Tropojën.

Në fotot e shpërndara, shihet komuniteti i mbledhur rreth veprës, me flamurin kombëtar në duar dhe personalitete të kishës, duke e shënuar këtë ditë si një moment historik për zonën malore të Nikaj-Mërturit.