Përfundon dita e takimit Putin–Trump: A ranë dakord për armëpushim në Ukrainë?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim historik në Alaskë, por dita përfundoi pa një marrëveshje për armëpushim në Ukrainë.

Konferenca e përbashkët për shtyp zgjati vetëm 12 minuta dhe të dy udhëheqësit nuk iu përgjigjën asnjë pyetjeje të gazetarëve, një gjë e rrallë për Trump.

Takimi, i zhvilluar në bazën ajrore amerikane, shënoi vizitën e parë të Putinit në tokën amerikane pas një dekade. Dy liderët u pritën me ceremoni zyrtare dhe ecën krah për krah në tapetin e kuq, përpara se të shtrëngonin duart nën mbishkrimin “Alaska 2025”.

Putin, në fjalën e tij, e cilësoi bisedën “konstruktive” dhe theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kishin arritur “në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë”.

Ai përsëriti se konflikti në Ukrainë lidhet me “kërcënimet ndaj sigurisë ruse” dhe se një zgjidhje afatgjatë kërkon adresimin e “shkaqeve rrënjësore”, duke nënkuptuar kufizimin e aftësive ushtarake të Kievit dhe pengimin e hyrjes së Ukrainës në NATO.

Nga ana tjetër, Trump e përshkroi takimin si “shumë produktiv” dhe tha se kishte patur “shumë pika dakordësie”, por jo një marrëveshje konkrete. Ai shtoi se diskutimet do të ndahen me aleatët evropianë dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Takimi u përdor nga Kremlini edhe për të dërguar mesazhin se Rusia nuk është e izoluar ndërkombëtarisht. Putin kujtoi se kufiri mes dy vendeve në ngushticën e Beringut është vetëm 4 kilometra larg dhe i tha Trump pas uljes “Mirëdita fqinj, është mirë të shihemi shëndoshë e mirë”.

Megjithatë, pa rezultate konkrete, mbetet e paqartë nëse bisedimet do të çojnë drejt një armëpushimi.