Video/ Putin ofendon rëndë gazetarin që e pyeti: “A do të ndalosh së vrari civilët?”

Presidenti rus Vladimir Putin u përball me një moment tensioni me gazetarët para fillimit të bisedimeve me Presidentin amerikan Donald Trump në Anchorage, Alaska.

Një ekspert i leximit të buzëve i tha “Metro” se Putin iu përgjigj me fjalët “je injorant” një gazetari që e pyeti nëse Rusia do të ndalonte vrasjen e civilëve në Ukrainë.

Gazetarët i drejtuan pyetje Putinit mbi mundësinë e një armëpushimi dhe angazhimin për të mos kryer më sulme ndaj civilëve.

Sipas ekspertit Nicola Hickling, fillimisht Putin u përgjigj me frazën në anglisht “you are ignorant” dhe më pas e përsëriti qartë “you are ignorant”, duke treguar shenja irritimi.

Takimi mes dy presidentëve nisi me një përshëndetje të gjatë në pistë. Trump e priti Putinin me fjalët: “E bëre, kënaqësi të të shoh”, ndërsa Putin iu përgjigj: “Faleminderit, jam këtu për të të ndihmuar” dhe shtoi: “Do t’i jap fund” – një deklaratë e interpretuar si referencë për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë. Trump iu përgjigj: “Shpresoj që të ndodhë.”

Dy liderët më pas hipën në limuzinën presidenciale dhe u nisën drejt një “mëngjesi pune”, ku në tryezë iu bashkuan sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe negociatori Steve Witkoff, ndërsa pala ruse përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe këshilltari Yuri Ushakov.

Takimi po zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e katërt. Kombet e Bashkuara kanë konkluduar se forcat ruse kanë kryer krime lufte kundër civilëve në Ukrainë.