Gati 200 persona kanë humbur jetën nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet në Pakistanin veriperëndimor gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa moti i keq ka rrëzuar edhe një helikopter shpëtimi, sipas autoriteteve lokale.
Sipas zyrtarëve, reshjet e rrëmbyeshme, përmbytjet e shpejta, goditjet e rrufesë dhe shembjet e ndërtesave kanë shkaktuar viktima në zonat malore të provincës Khyber Pakhtunkhwa.
Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive natyrore raportoi se numri i viktimave arriti në 194 deri të premten në mbrëmje.
Zona më e prekur është Buner, ku përmbytjet dhe reshjet e mëdha kanë shkaktuar 100 viktima, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i provincës, Shahab Ali Shah.
Në Bajaur, pranë kufirit me Afganistanin, një helikopter që transportonte ndihma për zonat e izoluara u rrëzua për shkak të motit të keq, duke lënë të vdekur pesë anëtarët e ekuipazhit. Në distriktin Swat, mbi 2 mijë banorë janë zhvendosur në zona më të sigurta pasi lumenjtë dhe përrenjtë kanë dalë nga shtrati.
Kryeministri Shahbaz Sharif ka mbledhur një takim emergjent për të shqyrtuar situatën, ndërsa autoritetet raportojnë se gjatë javëve të fundit, reshjet e pazakonta të stinës së monsunit kanë shkaktuar qindra viktima të tjera dhe kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën, duke shkatërruar rrugë dhe ndërtesa.
