Ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Pirg të Maliqit ka marrë zhvillime të reja.
Pas hetimeve intensive, janë arrestuar tetë persona në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në ambientet e një lokali në fshatin Pirg, ku një konflikt mes dy adoleshentëve përfundoi tragjikisht.
Sipas burimeve, mes tyre kishte pasur një debat edhe një ditë më parë dhe ishin dakorduar të takoheshin për “sqarime”. Por takimi përfundoi në përplasje fizike, gjatë së cilës Guri dyshohet se goditi me thikë Xhejon, duke i shkaktuar plagë fatale.
Në pranga përfundoi vetë autori i dyshuar, ndërsa babai dhe xhaxhai i tij akuzohen se kanë fshehur mjetin prerës me të cilin u krye krimi. Po ashtu, katër të mitur dhe një 34-vjeçar, të pranishëm në vendngjarje, dyshohet se kanë tentuar të pengojnë zbardhjen e së vërtetës përmes deklarimeve të tyre dhe duke mos njoftuar menjëherë autoritetet.
Në rrjetet sociale po qarkullojnë foto të Enedio Gurit, ku ai shihet i pozicionuar me armë gjahu, cigare dhe mbishkrime provokuese mbi imazhe, mes tyre: “Mos më kërko, unë nuk vij” dhe “Por shfaqem, kur ty s’ta pret mendja”.
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar të gjitha motivet dhe rrethanat e kësaj tragjedie.
