Pas aksidentit të rëndë në Qafën e Koshovicës në Fier, ku një automjet u përplas me një pishe dhe u përfshi nga flakët, është identifikuar polici që ndërhyri duke shpëtuar disa persona nga mjeti në rrezik shpërthimi.
Ai është Klajdi Mustaj, oficer i diplomuar në Shkollën e Policisë për Krimet e Rënda, i njohur për profesionalizmin dhe përkushtimin në detyrë.
Në momentin e ngjarjes, Mustaj reagoi menjëherë, duke hyrë mes flakëve dhe duke nxjerrë të plagosurit, pa u tërhequr përballë rrezikut.
Përveç shërbimit në polici, ai është i njohur në komunitet edhe si pronar i Bar Restorant “Perla”, një vend i frekuentuar për ushqimin dhe mikpritjen që ofron familja e tij.
Pas publikimit të rastit, rrjetet sociale janë mbushur me komente falënderimi, ku qytetarët e kanë cilësuar si “hero të përditshëm” dhe shembull të guximit civil.
Ky veprim ka marrë vëmendje të gjerë, duke nënvizuar se përtej uniformës së policit, qëndron një njeri i gatshëm të ndihmojë në çdo rrethanë.
